Kupa Autochthonous, regjistrimet kanë filluar!

‘‘Liga e Anës së Malit 2022’’

Futbolli në Anën e Malit po gjallërohet çdo ditë e më shumë nga të rinjtë. Për 1 muaj me rradhë u zhvillua turneu i futbollit të vogël 5×5, me pjesëmarrës nga të gjithë ekipet e fshatrave të Anës së Malit. Në këtë turne morrën pjesë 11 fshatra, të cilët u përfaqësuan me ekipin e të rriturve dhe me ekipin e moshave të reja. Gjithashtu në këtë turne zunë vënd edhe ndeshjet shumë të bukura të veteranëve, të cilët e kthyen publikun pas në kohë duke i dhënë emocione të medha. Në krahasim me vitet e kaluara pjesëmarrja është rritur ndjeshëm, duke e bërë këtë turne një garanci për cilësi më të mirë të lojës dhe argëtim të sigurtë.

Turneu madhështor i futbollit të vogël ‘’Liga e Anës së Malit 2022’’ u organizua në kushtet fantastike të terrenit sportiv ‘’Ilirët’’ në fshatin Brajshë, nën organizimin e përkryer të Edmir Likës dhe Agron Halilit , të cilëve i shkon merita kryesore e këtij organizimi të përkryer.

Në ndeshjen finale të kategorisë së të rriturve luajtën ‘’Kllënza’’ dhe ‘’Shtodri’’ ku gjatë minutave të kohës së rregullt ndanë barazimin. U desh ekzekutimi i penalltive për tu shpallur fituesi ku më të zotët dhe më me fat u treguan kllëznoret. Me këtë rezultat fshati i Kllënzës arriti të fitoj për herë të parë titullin kampion.

Në kategorinë e gjeneratave të reja u ndeshën në finale ‘’Brajsha’’ dhe ‘’Krytha’’ , ku fitues u shpall ekipi i Brajshës. Kjo kategori dëshmoi që futbolli i Anës së Malit në të ardhmen është në duar të sigurta.

E veçantë në këto finalet ishte prezenca e lartë e publikut , ku numri i tyre ishte mbi 1000 persona. Kultura e treguar nga publiku dhe prezenca e gjinisë femërore i shtuan vlerat këtij aktiviteti sportiv.

Organizatorët shprehin falenderimet e tyre më të veçanta për ministrin e pakicave në Mal të Zi z.Fatmir Gjeka, kryetarin e klubit ‘’Otrant Olimpik’’ z.Damir Karastanoviç, anëtaret e komisionit për sport z.Alban Gjoni dhe z.Kujtim Sukaliq si dhe z.Skendo Rexha të cilët ndanë çmimet për ekipet fituese.

Të ftuar nderi nga organizatorët në ndeshjet finale të këtij turneu ishin edhe z. Jetmir Podgorica (drejtues kryesor i Shkodra Sport Event) dhe z. Klinti Shema (drejtues në Shkodra Sport Event).

Ne i urojmë suksese organizatorëve në evente të tilla madhështore dhe suksese me shkollën e tyre të futbollit ‘’Ilirët’’!